Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe
“Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë–vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”
Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe, i cili mbahet çdo dy vjet, përbën ngjarjen më të rëndësishme studimore të organizuar nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), që këtë vit përkon me pesëvjetorin e themelimit të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Tema bosht e këtij Kuvendi të Tretë është “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë–vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”. Trajtimi i kësaj teme përbën një rëndësi të qenësishme për kombëtarinë, e cila diskutohet për herë të parë në qarqet akademike shqiptare dhe që mëton të hedhë dritë, përmes interpretimesh shkencore të shkollave të reja të mendimit, mbi këtë raport të vendit amë, Shqipërisë, me komunitetin arbëresh, si dhe mbi dialektikën dhe dimensionet komplekse të diasporës dhe vendit të origjinës.
Dr. Giuliana B. Prato, profesoreshë e Antropologjisë Sociale në Universitetin e Kentit në Mbretërinë e Bashkuar, do të mbajë një Lectio Magistralis me temë “Shaping New Albanian Identities: From Arbëresh Diaspora to Contemporary Expatriates”, e cila do të ndiqet nga diskutime dhe debate mes aktorëve kyç të komuniteteve të Arbëreshëve të Italisë, studiuesve shqiptarë dhe arbëreshë.
Në studimet e dekadave të fundit, koncepti mbi diasporën është larguar nga zanafilla e semantikës së saj, duke përfshirë një term sa kompleks, aq edhe dinamik, duke sfiduar edhe interpretimet tradicionale mbi konceptet bashkëudhëtare të diasporës, siç janë identiteti, përkatësia, kultura dhe trashëgimia. Nëse në pikënisje të saj, koncepti diasporë mbartte në vetvete zhvendosjen, shpërhapjen dhe mërgimin nga vendi amë, në ditët e sotme, diaspora shpërfaq në semantikën e saj edhe format e proceset përmes të cilave komunitetet diasporike formësojnë e artikulojnë identitetin e kulturën e tyre duke ndërtuar përmes narrativave, marrëdhënie komplekse, dinamike e ndërvepruese me vendin e origjinës dhe vendin pritës. Shtrirja semantike e diasporës implikon edhe identitetin, duke e sfiduar atë, dhe jo duke e parë tashmë si një koncept të palëvizshëm dhe të fiksuar në kohë, por si një identitet diasporik, i cili vjen si një produkt i kontektesteve të ndryshme socio-kulturore, ku vendet pritëse veprojnë si agjentë kryesorë në formimin dhe zhvillimin e diasporave.
Nën këtë dritë arsyetimi, kur flasim për diasporën arbëreshe, na ndërmendet Papas Antonio Bellusci i cili në artikullin me titull “Le tre Patrie” në revistën "Lidhja" (L’Unione, n. 2-3, aprile/ prill 1981) shprehet se identiteti kulturor i arbëreshëve kishte të trupëzuar “tri “atdhe” si simbolikë të tyre: Shqipërinë për gjuhën dhe traditat shqiptare, Greqinë për ritin fetar greko-bizantin dhe Italinë për shtetësinë dhe vendin ku ata jetojnë”. Përpjekjet e komuniteteve arbëreshe për të mbajtur gjallë lidhjet me Shqipërinë dhe anasjelltas, kanë qenë jo thjesht të parreshtura, por këmbëngulëse, aspekt i cili ka ndikuar në mënyrën se si diaspora historike dhe vendi amë e kanë perceptuar njëra-tjetrën: arbëreshët përmes lenteve nostalgjike, duke kanë ndërtuar narrativa ndaj atdheut të humbur, ndërsa Shqipëria/vendi amë duke ndërtuar/legjitimuar narrativa kombëtare dhe ripërtërirë lidhjet me të shkuarën.